Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje sot deputetëve të Kuvendit të miratojnë vendimin për zgjatjen e afateve të Vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në një deklaratë të përbashkët për shtyp, BE dhe SHBA janë shprehur se Reforma në Drejtësi po jep rezultate.
“Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka bërë përparime domethënëse në reformat e anëtarësimit në BE. Ndër hapat më të vështirë, por thelbësorë, ka qenë miratimi dhe zbatimi i Reformës në Drejtësi”, thuhet në deklaratë.
Sipas tekstit të përbashkët te ambasadave, Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një element themelor i Reformës në Drejtësi.
“Për t’u mundësuar institucioneve të Vetingut të kryejnë misionin e tyre, është i nevojshëm ndryshimi i Kushtetutës për ta zgjatur mandatin e tyre për një periudhë të kufizuar,” shtohet në njoftim.
BE dhe SHBA kanë theksuar se Komisioni i Venecias ka konfirmuar se zgjatja e propozuar është në përputhje me standardet evropiane dhe është e nevojshme për të garantuar barazinë para ligjit dhe sigurinë juridike.
“Zgjatja e propozuar e Vetingut mbështetet fuqishëm nga miqtë e Shqipërisë që dëshirojnë ta shohin Shqipërinë në BE sa më shpejt të jetë e mundur”, vijon deklarata.
“Kjo nuk është çështje partiake. Shpresojmë që të gjithë deputetët – pavarësisht nga përkatësia partiake – ta shohin këtë si një çështje të interesit kombëtar dhe të votojnë në përputhje me të, ashtu siç kanë mbështetur gjithmonë rrugën evropiane të Shqipërisë”, përfaqësuesit e BE dhe SHBA nënvijëzojnë.
Në përmbyllje deklarata thekson se vota për zgjatjen e Vetingut është votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE, përcjell Telegrafi.
Votimi për zgjatjen e afateve të Vetingut është parashikuar të bëhet ditën e enjte në seancë plenare.