Gjermania do të dërgojë trupa shtesë “brenda disa ditësh” në Lituani, tha të hënën ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrecht, në një kohë kur përqendrimi ushtarak i Rusisë pranë Ukrainës po intensifikohet.
“Ne po forcojmë kështu kontributin tonë të trupave në krahun lindor të NATO-s dhe po japim një shenjë të qartë të vendosmërisë sonë për aleatët tanë,” tha Lambrechti.
Ajo shtoi se Berlini dëshiron t’u dërgojë aleatëve mesazhin: “Mund të mbështeteni tek ne”.
Lambrecht foli për kontributin e Gjermanisë në mbrojtjen e Lituanisë në një intervistë të publikuar nga grupi mediatik Funke të dielën.
“Ne (Gjermania) po japim tashmë një kontribut shumë të rëndësishëm në Lituani, ku jemi i vetmi vend në Bashkimin Evropian me një njësi të përzierë beteje,” tha Lambrechti.
Këto njësi beteje të NATO-s, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Kanadaja dhe Britania, kanë për qëllim të vonojnë një sulm në rajon dhe të lejojnë trupat shtesë të NATO-s të arrijnë në linjë.
Lambrecht kishte thënë më parë se Eurofighters do të vendosen në Rumani për vëzhgim ajror. Ministrja e vizitoi Lituaninë në udhëtimin e saj të parë jashtë vendit në dhjetor.
Pesë vitet e fundit, Gjermania ka qenë vendi kryesor pjesëmarrës në operacionin e NATO-s në Lituani, duke siguruar rreth gjysmën e 1.200 anëtarëve të njësisë shumëkombëshe.
Lambrecht mbron qëndrimin e Gjermanisë për armatosjen e Ukrainës
Lambrecht gjithashtu mbrojti kohët e fundit refuzimin e Gjermanisë për të furnizuar me armë Kievin, pasi ambasada e Ukrainës në Gjermani i dërgoi një listë kërkesash ministrive të jashtme dhe të mbrojtjes në Berlin.
Kjo listë përfshinte sisteme të mbrojtjes raketore, mjete të luftës elektronike, syze të shikimit natën, radit digjitale, stacione radarësh dhe ambulanca ushtarake.
“Ka qenë një qëndrim i qartë i qeverisë federale për një kohë të gjatë, madje edhe në legjislaturat e mëparshme, që ne të mos dërgojmë armë në zonat e krizës në mënyrë që të mos shkaktojmë përshkallëzim të mëtejshëm atje,” tha ajo.
“Në konfliktin me Ukrainën, ne kemi partnerë negociues që janë rikthyer në tryezën e bisedimeve. Kjo është arsyeja pse tani është detyra jonë të shtensionojmë. Ne duam ta zgjidhim këtë konflikt në mënyrë paqësore,” tha Lambrecht-i, shkruan DW.
Nisja e kancelarit gjerman Olaf Scholz për në Uashington të dielën shënon fillimin e një ofensive diplomatike që synon zbutjen e tensioneve me Rusinë.