Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka njoftuar se tanimë transportuesit e mallrave në terminalin doganor nuk do të paguajnë më 40 euro, përcjell InLajmi.
Kjo shumë ishte caktuar nga operatori ekonomik “Terminali SHPK”, mirëpo tanimë me asistencën e Policisë kjo rrugë është zhbllokuar dhe transportuesit e mallrave nuk do të paguajnë më shumën e caktuar.
Gjithashtu Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se është zhbllokuar Terminali Doganor në Han të Elezit nga rrethojat metalike që kanë qenë të vendosura.
Postimi i plotë i tij:
Është zhbllokuar rruga nga rrethojat metalike që ishin të vendosura në Terminalin Doganor në Hanin e Elezit

Pas ankesave të shumta nga agjentët doganor, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, përkitazi Doganën e Kosovës, kanë inicuar kërkesën për zhbllokimin e rrugës nga rrethojat metalike të vendosura në rrugën e cila është pronë shoqërore, nën menaxhimin e AKP-së.
Operatori Ekonomik, “Terminali SHPK”, kishte bllokuar rrugën për transportuesit e mallërave duke i detyruar ata të paguanin dyzet Euro. Me asistencën e Policisë së Kosovës, tashmë kjo rrugë është zhbllokuar, rrjedhimisht transportuesit e mallërave nuk do të paguajnë më dyzet euro, aq sa ishin të detyruar të paguanin më parë. /InLajmi/