Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka insistuar se për të hyrë Kosovë kurrë nuk janë kërkuar 3 doza të vaksinës kundër Covid-19. Ai tha se për të qarkulluar brenda kufijve të Kosovës, shtetasit e vendeve të tjera kanë mundur që të hyjnë edhe me 2 doza të vaksinës dhe me një vërtetim të testit PCR
Latifi tha se kushti për të hyrë me 3 doza në Kosovë ka pasur për qëllim lehtësimin e qarkullimit.
“Kurrë nuk kemi kërkuar 3 vaksina. Me 3 vaksina ti ke pasur lehtësi të madhe ke hy drejtpërdrejtë. As nuk është kërkuar testi as kurrgjë tjetër. Nëse i ke pasur 2 vaksina është dashur ta kesh edhe testin”,ka thënë ai para gazetarëve.
Kjo deklaratë e Latifit erdhi pas kundërshtimeve nga shtetet e rajonit që Kosova nuk po i lejon qytetarët e tyre që të hyjnë në Kosovë pa 3 doza të vaksinës kundër Covid-19.
Pas këtyre kundërshtimeve, Kosova ka lehtësuar masat në këtë aspekt.
Kështu për të hyrë në Kosovë më nuk kërkohen 3 doza të vaksinës, përcjell Gazeta Express
Sipas masave që kanë hyrë në fuqi dje, çdo person që hyn në Kosovë duhet të posedojë: certifikatën e vaksinimit të plotë me 2 doza ose me një dozë të vaksinës Janssen, që nuk ka kaluar më shumë se 12 muaj nga marrja e dozës së fundit; certifikatën e vaksinimit me një dozë të shoqëruar me testin Rt-PCR negativ për Covid-19, jo më të vjetër se 48 orë; dëshmi se e ka kaluar Covid-19 në 90 ditët e fundit; dëshmi se personi ka marrë dozën e 3/përforcuese dhe dëshmi të testit RT-PCR negative për Covid-19 jo më të vjetër se 48 orë.