Profesori amerikan Edward Joseph, e ka komentuar vizitën e emisarëve Lajcak e Escobar në Kosovë e Serbi duke thënë se vizita ishte mesazh se Washingtoni dhe Brukseli punojnë në partneritet të ngushtë.
Eksperti amerikan Joseph deklaroi se vizita e përbashkët e emisarëve të SHBA-së dhe BE-së është një synim i qartë për të rifilluar dialogun i cili ka ngecur pas një pushimi të gjatë dhe ngjarjeve kontroverse që pasuan gjatë vjeshtës.
“Çfarë SHBA-ja dhe BE-ja s’mund të arrijnë në dialog brenda kornizës që tani është konceptuar, është çka Serbia dhe Kosova si dhe regjioni kanë nevojë – një zgjidhje për mosmarrëveshjen”, tha ai.
Escobar dhe Lajcak u takuan gjatë javës me zyrtarët më të lartë të të 2-ja vendve. Mesazhi kryesor ishte përkrahja dhe lavdërimi për Prishtinën e Beogradin për gatishmërinë e tyre në dialog dhe ftesën për tu rikthyer në tavolinën e bisedimeve, tha Joseph në një intervistë për REL.
Data e takimit tjetër në Bruksel ende nuk dihet.