22 vjet më parë në Veri të Mitrovicës, pra gjatë 3 dhe 4 shkurtit, serbët vranë 10 qytetarë shqiptarë, dhe u plagosën 25 të tjerë si dhe ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre 1.564 familje me gjithsej 11.394 anëtarë, përcjell InLajmi.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, këtë të premte, në përvjetorin e rënies së shqiptarëve në masakrën e 3-4 shkurtit në Mitrovicë tha se ende kriminelët nuk e kanë marrë dënimin e merituar.
Por Mehaj premtoi se institucionet e sigurisë së Kosovës do të jenë të vendosur deri në fund për sigurinë dhe mbrojtjen e territorit të vendit, të jetës dhe pronës së qytetarëve të saj.
Postimi i plotë i tij:
Sot mbushen 22 vjet nga masakra në natën midis 3 dhe 4 shkurtit në veri të Mitrovicës.
Atë natë tmerri, kriminelët e “Rojave të urës” të drejtuara nga strukturat shtetërore të Serbisë vranë 10 shqiptarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e pleq, si dhe plagosën shumë të tjerë.
Vranë : Nezir e Shqipe Vocën, Niman Sejdiun, Bashkim Rrukecin, Sebiha Abrashin, Selime Berishën, Muharrem Sokolin, Nderim Ajetin, Nerimane Xhakën dhe Remzije Canhasin.
Të njëjtën natë, ata dëbuan rreth 12 mijë shqiptarë dhe dogjën shtëpitë e tyre.
Kriminelët ende nuk kanë marrë dënimin e merituar.
Ne nuk harrojmë dhe jemi të vendosur deri në fund në kërkim të drejtësisë për ta dhe gjithë dhimbjen e dëmet që na kanë shkaktuar strukturat kriminale të komanduara nga regjimi fashist i Serbisë.
Institucionet e sigurisë së vendit jemi të vendosura deri në fund për sigurinë e mbrojtjen e territorit të vendit, si dhe jetës dhe pronës së qytetarëve tanë.
Ky është misioni ynë i shenjtë kushtetues dhe ligjor!/InLajmi/




















