Kompanitë private për shërbime funerale kanë paralajmëruar protestë ndaj vendimit të Komunës së Prishtinës për t’i dhënë Bashkësisë Islame leje për kryerjen e shërbimeve funerale, përcjell InLajmi.
Protesta do të mbahet me 7 shkurt nga ora 12:00, tek hyrja e Komunës së vjetër të Prishtinës.
Sipas kompanive private, Bashkësia Islame nuk ka të drejtë të kryejë shërbime funerale në Komunën e Prishtinës sepse në Komunën e Prishtinës ekzistojnë 15 kompani të tilla, të cilat kanë të drejtë ligjore me licencë për kryerjen e këtyre shërbimeve.
Kompanitë privat të shërbimeve funerale theksojnë se kryerja e këtyre shërbimeve nuk është e drejtë sepse kjo bie në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Tutje ata tregojnë se protesta do të jetë e qetë dhe pa ngjyrime politike, ku përgjegjësinë do të marrë organizatori i Protestës, Blerim Nreci.
Postimi i plotë i tij:
Ju, njoftojmë se me datën 07.02.2022 nga ora 12:00, tek hyrja e Komunës së vjetër të Prishtinës, do të mbahet protesta e Kompanive private për shërbime funerale.
Protesta do të mbahet me paraqitjen e këtyre kërkesave të Kompanive për shërbime funerale:
- Për shfuqizimin e marrëveshjes së arritur, ndërmjet KK. Prishtinës dhe Bashkësisë Islame të Prishtinës, për kryerjen e shërbimeve funerale, pasi që Bashkësia Islame nuk ka të drejtë të kryejë shërbime funerale në Komunën e Prishtinës, pasi që në Komunën e Prishtinës ekzistojnë 15 kompani privat të cilat kanë të drejtë ligjore me licencë për kryerjen e këtyre shërbimeve.
Gjithashtu do të njoftohet opinioni publik, me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, për ndalimin e kryerjes së shërbimeve funerale në Komunën e Prishtinës nga ana e Bashkësisë Islame të Prishtinës, pasi që e njëjta ka të drejtë të bëjë vetëm shërbime të faljes së kufomës e jo shërbime të tjera funerale.
- Gjithashtu do të kërkohet nga KK.Prishtina, për shfuqizimin e vendimit për dhënien në shfrytëzim të objektit tek varrezat e Qytetit të Prishtinës, për kryerjen e shërbimeve funerale për Bashkësinë Islame të Prishtinës, pasi që e njëjta është në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Protesta do të fillojë nga ora 12:00 të datës 07.02.2022 nga morgu i Spitalit të Qytetit të Prishtinës në drejtim të objektit të Komunës së vjetër të Prishtinës, ku aty do të shfaqen kërkesat e Kompanive dhe pas përfundimit të tyre do të vazhdohet në drejtim të Bashkësisë Islame të Kosovës (tek teatri Dodona), ku aty do të parashtrohen kërkesat e kompanive private të licencuara, e pastaj do të vazhdohet tek objekti tek varrezat e Qytetit të Prishtinës, ku përsëri aty do të mbahet protesta, duke i shfaqur kërkesat e kompanive.
Për protestën në fjale do të lajmërohen edhe KK.Prishtina, Bashkësia Islame e Kosovës si dhe mediat në Kosovë.
Protesta do të jetë e qetë dhe pa ngjyrime politike, ku përgjegjësinë do të marrë organizatori i Protestës.
Në protestë do të marrin pjesë të gjitha kompanitë licencuara private në Prishtinë për shërbimet funerale të cilat i përfaqëson, Blerim Nreci.
Shpresojmë se mbarëvajtja e protestës do të shkojë sipas planprogramit të organizuar, ku shpresojmë se kërkesa tona do të hasin në mirëkuptim.
Me respekt, kompanitë private për kryerjen e shërbimeve funerale në KK.Prishtinë. /InLajmi/