Këtë të enjte Qeveria e Kosovës pritet t’i shqyrtojë masat e reja kundër koronavirusit, shkruan InLajmi.
Masat e reja të cilat janë miratuar 2 javë më parë nga Qeveria e Kosovës janë kritikuar shumë sidomos për faktin që Gastronomisë po vazhdon t’i shkurtohet orari i punës, ndërsa masa tjetër që është kritikuar po ashtu mjaft shumë është ajo që atyre që hyjnë në Kosovë u kërkohet që të kenë 3 doza të vaksinës, gjegjësisht 2 doza si dhe testi PCR.
Por Arian Vranica, nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës në një prononcim të shkurtër për Gazetën InLajmi, thotë se pritet të ketë lehtësim të masave.
“Nuk pritet shtrëngim por lehtësim i masave. I kemi publike kërkesat tona por mbetet të shihet se çfarë mund të aprovohen”,tha Vranica.
Në takimet që kanë pasur zyrtarë nga Shoqata e Gastronomëve me zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë së fundmi është bërë me dije se është kërkuar të lirohen masat për ahengjet, klubet dhe funksionimi i kafe bareve sipas rregulloreve komunale si dhe të hiqet ora policore.
Ndryshe, masat sipas rregullores komunale për restorantet lejohet puna deri në orën 23:00 gjatë dimrit ndërsa gjatë verës deri në orën 24:00./InLajmi/

















