Partia Social Demokrate ka reaguar këtë të martë lidhur me arrestimin e aktivistit të kësaj partie, Adem Megjuani i cili pas ftesës për intervistim nuk është liruar pasi që Prokurori i këtij rasti ia ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orësh, përcjell InLajmi.
E arrestimi i Megjuanit ka ndodhur për shkak të incidenteve në protestën e organizuar nga kjo parti të shtunën e kaluar lidhur me propozimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike, ku kanë marrë pjesë një numër i madh i qytetarëve.
PSD, tutje përmes njoftimit ka theksuar se partisë në pushtet, pra LVV si duket i ka penguar pjesëmarrja masive e njerëzve në protestë ndërkaq menjëherë ka nisur me gjueti shtrigash.
Postimi i plotë i PSD-së:
Të lirohet menjëherë aktivisti Adem Megjuani!
Në orën 9:00, aktivisti Adem Megjuani i është përgjigjur thirrjes së policisë për intervistim lidhur me incidentin që ndodhi në protestën kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike. Të njëjtit prokurori i rastit i ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orëve. Kjo masë nuk i përmbush asnjërën prej kushteve të parapara me Kodin e Procedurës Penale për shqiptimin e saj. Mënyra se si ka vepruar prokurori i rastit përbën abuzim të pushtetit të tij e shkelje të të drejtave të aktvistit tonë. Joproporcionaliteti i veprimeve të prokurorisë është proporcional vetëm me nevojën e pushtetit për të disiplinuar veprimet opozitare të PSD-së.
Partisë-shtet i ka penguar pjesëmarrja masive e njerëzve në protestë. Menjëherë nisën me gjueti shtrigash. Sot kanë vazhduar me arrestime. Propaganda policore që kishte për qëllim ta kriminalizoj një protestë paqësore, po përkthehet me përndjekje.
Të lirohet menjëherë aktivisti Adem Megjuani!/InLajmi/