Në Gjykatën Kushtetuese në Shqipëri ka nisur seanca ku do të shqyrtohet vendimi i parlamentit për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Presidenti nuk është i pranishëm në seancë, por përfaqësohet përmes përfaqësuesve të vet ligjorë.
Në qershor të vitit të kaluar, 104 deputetë votuan pro shkarkimit të Presidentit Meta. Mazhoranca socialiste e fajëson atë për deklarata publike para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare, të cilat sipas socialisteve kanë shkelur Kushtetutën.
Votimi u bazua në gjetjet e raportit të hartuar nga komision hetimor i ngritur për të hetuar qëndrimin e Presidentit Meta para dhe gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare 2021.
Meta e ka konsideruar të paligjshëm vendimin për shkarkimin e tij. Por mëngjesin e kësaj të marte, kreu i shtetit lajmëroi se avokatët e tij do të paraqiten në seancën e Gjykatës Kushtetuese ku pritet të shqyrtohet kërkesa e parlamentit.
Në një intervistë për emisionin Now në Euronews Albania disa ditë më parë, Presidenti Meta tha se nuk do të paraqitet në seancën për shkarkimin e tij në Gjykatën Kushtetuese, por shtoi se nuk do ta bojkotojë seancën pasi do të dërgojë përfaqësues ligjorë.
“Unë nuk shkoj në një Gjykatë e cila nuk ka dhënë një përgjigje të drejtë për sa i takon zgjedhjeve bashkiake dhe nuk i është përgjigjur Komisionit të Venecias për këtë çështje thelbësore”, u shpreh Meta.