Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku këtë të martë ka takuar zëvendës ndihmës sekretarin e SHBA-së, Gabriel Escobar, përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Miroslav Lajčák si dhe ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë Jeffrey M. Hovenier, derisa ka njoftuar për temat që u diskutuan në atë takim, përcjell InLajmi.
Kryetari Abdixhiku tha se përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së u njoftuan për qëndrimin e kësaj partie karshi dialogut Kosovë-Serbi, gjegjësisht situatës politike në vend.
Ai tha se në këtë takim u kërkua që rezultati i dialogut duhet të përfundojë me njohje të ndërsjelltë dhe normalizim të marrëdhënieve ndërmjet 2 shteteve.
Postimi i plotë i tij:
Sot, së bashku me nënkryerarin e LDK-së Lutfi Haziri dhe me nënkryetarin e Kuvendit Kujtim Shala, takuam Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, Gabriel Escobar, Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, Miroslav Lajčák si dhe Ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë Jeffrey M. Hovenier.
Në këtë takim i njoftuam përfaqësuesit në fjalë mbi qëndrimet e LDK-së karshi situatës politike në vend, me theks të veçantë për procesin e dialogut. Bëmë të ditur edhe njëherë qëndrimin tonë politik mbi këtë proces, rëndësinë e tij për vendin tonë dhe nevojën që i njëjti të përfundojë me njohje të ndërsjellë e normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet 2 shteteve – duke respektuar integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues te Kosovës.
Në takim, përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së vlerësuan gjithashtu rolin historik të LDK-së, si partnere kredibile e SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian në proceset e rëndësishme të vendit.
Përkushtimi i përbashkët SHBA-BE, është jetik për Kosovën dhe udhëtimin tonë euroatlantik. Prandaj me një partneritet të tillë, e ardhmja e Republikës së Kosovës është e sigurtë./InLajmi/




















