Një rrëshqitje e madhe e dheut, e nxitur nga reshjet më të dendura të shiut në gati 20 vitet e fundit, ka lënë të vdekur të paktën 11 persona në kryeqytetin e Ekuadorit, Quito.
Balta dhe gurët u lëshuan poshtë shpateve të vullkanit “Pichincha”, që ndodhet afër kryeqytetit, duke “gëlltitur” 8 shtëpi dhe duke marrë vetura me vete. Të paktën 32 persona janë lënduar.
Ekspertët e motit thonë se sasia e shiut që ka rënë në këtë zonë ka qenë gati 40 herë më e lartë se parashikimi, shkruan BBC.
“Pashë se si rrjedha mori një burrë dhe një fëmijë. Ishte e tmerrshme”, tha banori Belen Bermeo për gazetën “El Universo”, transmeton Gazeta Express.
Disa shtëpi janë dëmtuar në atë zonë, ndërsa zyrtarët dhe policia janë duke punuar në vendin e ngjarjes.