Zvicra do të bëjë zbutjen e masave dhe të kufizimeve në takime dhe evente.
Paraqitja e ministrit të Shëndetësisë Alain Berset para mediave kishte shenja optimiste. Ai madje premtoi se disa masa si puna nga shtëpia dhe karantina do të hiqen së shpejti.
Për më tepër ai tha se as detyrimi për certifikatën Covid nuk do të ekzistojë përgjithmonë.
Nisur nga kjo dhe tregues të tjerë, vëzhguesit presin që qeveria e vendit të heqë 2 masat e përmendura që në mbledhjen e saj të ardhshme të mërkurën, më 2 shkurt. Në konsultimin e fundit, një numër kantonesh u shprehën në favor të heqjes ose përshtatjes së këtyre masave. Pas kësaj, mbledhja e parë e rregullt e Këshillit Federal do të mbahet më 16 shkurt.
Në mbledhjen e 16 shkurtit Këshilli Federal pritet të diskutojë dhe të vendosë për hapat e mëtejshme lehtësuese, për të cilat do të merret vesh në konsultim me kantonet, më 2 shkurt. Bëhet fjalë për heqjen e detyrimit për të treguar certifikatën brenda vendit, lehtësimin e detyrimit për të mbajtur maska dhe të kufizimeve në takime dhe evente private

Andreas Widmer nga Spitali Universitar i Bazelit dhe kryetar i Qendrës Kombëtare për Parandalimin e Infeksioneve (Swissnoso) tërheq vërejtjen kundër heqjes “shumë të hershme” të detyrimit për maskë.
“Së pari, përfitimi shkencor nga mbajtja e maskës është vërtetuar, dhe së 2, efektet e variantit të omicron BA.2 janë ende të pasigurta. Nëse i heqim maskat dhe varianti Omicron shpie në norma më të larta të shtrimit në spitale, ne do të kemi një problem të madh”. Prandaj, heqja e detyrimit për maskë duhet të kryhet në faza. Së pari, për shembull, në qendrat e fitnesit, në punë dhe vetëm pastaj, më vonë edhe në dyqane dhe transport publik”, tha Widmer duke arsyetuar mos heqjen e detyrimit të maskës.
Ndryshe, ai përshëndet qëndrimin e Këshillit Federal: “Nga pikëpamja epidemiologjike, heqja e punës nga shtëpia, e karantinës dhe e certifikatave është gjithsesi e arsyeshme”, transmeton albinfo.ch.
Kjo gatishmëri e treguar për heqjen e masave shpjegohet me faktin se Qeveria Federale pret që kulmi i valës aktuale të Omicron të kalohet së shpejti. Kjo, nisur nga përvoja që ka treguar se 4 valët e fundit të koronës secila zgjatën rreth 6 javë. Edhe nëse vala e Omicronit zvarritet pak më gjatë: më e keqja duket se do të përfundojë nga mesi i shkurtit.