Mes frikës së një sulmi ushtarak rus, ukrainasit po përballen gjithashtu me një valë kërcënimesh të rreme për bomba ndërsa Moska po zhvillon një luftë hibride për të mbjellë panik në publik, sipas shërbimeve ukrainase të sigurisë, transmeton InLajmi.
Alla Vashchenko, një oficere policie ukrainase, tregon për operacionet e policisë, që duhej të bënin nëpër rrugët e mbuluara me borë të Zhytomyr, për të shkuar në vendin e alarmit të fundit, ku raportohej për bombë.
“Ne morëm një email që thoshte se ata kishin vendosur bomba në të gjitha institucionet arsimore dhe qendrat tregtare të qytetit,” shpjegon Vashchenko.
Në mbarë vendin, policisë ukrainase iu desh të kontrollonte më shumë se 3.000 vende për bomba vetëm në 3 javët e para të vitit 2022. Të gjithë ishin alarme të rreme.
Autoritetet ukrainase fajësojnë Rusinë për atë që ata e quajnë një luftë hibride.
“Ky është një element i luftës hibride. Për të krijuar kaos, pasiguri për të nesërmen dhe një gjendje të vazhdueshme stresi. Kështu që shkollat duhet të kalojnë në mësim në distancë dhe bizneset të mbyllen,” shpjegoi kryebashkiaku i Zhytomyr, Serhiy Sukhomlyn.
Alarmet e pandërprera false mund të jenë stresuese për prindërit, por autoritetet e shkollave ukrainase po punojnë me departamentet e policisë për të krijuar siguri tek ta, shkruan CNN.
Në shkollën nr. 22 të Zhytomyr, për shembull, autoritetet vendosën të mos evakuonin nxënësit. /InLajmi/