Profesori Lulzim Paci, nga qyteti i Vushtrrisë, është bërë viral me videot e tij me vallëzim tradicional që ka publikuar në ‘’Tik Tok’’, gjë që ka nxitur reagime të shumta në vendin tonë, përcjell InLajmi.
Njëra ndër ta që ka reaguar ishte edhe deputetja e Vetëvendosjes, Fjolla Ujkani e cila këto video të publikuara i ka quajtur të pahijshme dhe degjeneruese për shoqërinë tonë.
Mirëpo pas këtij reagimi kjo e fundit ka marrë shumë kritika nga shumë njerëz duke thënë se ka sulmuar profesorin.
E në lidhje me këtë deputetja është sqaruar dhe i ka kërkuar falje publikisht profesorit e cila theksoi se ndihet keq nëse reagimi i saj e ka lënduar profesorin Paci, duke shtuar se ky reagim i saj erdhi për arsye të mbrojtjes dhe mirëqenies së nxënësve.
Postimi i plotë i saj:
Sqarim për publikun në lidhje me reagimin tim ndaj profesorit Lulzim Paci
Së pari, dua të sqaroj që në karakterin tim, bullizmi nuk ka vend në asnjë formë dhe për asnjë çmim.
E kuptoj që një pjesë e njerëzve kanë reaguar me qëllim të mirë, mirëpo janë një numër i konsiderueshëm i tyre, që e kanë shfrytëzuar reagimin tim për sulme politike e qëllimkqija ndaj meje.
Më vjen shumë keq nëse reagimi im e ka lënduar profesorin Paci, për çka edhe i kërkojë falje publike.
Reagimi im ka pasur për qëllim mbrojtjen dhe mirëqenien e nxënësve, dhe gjithsesi ruajtjen dhe mbrojtjen e kredibilitetit të shkollës, në këtë rast Gjimnazit, por assesi lëndimin e dikujt tjetër.
Unë, para se të jem deputete, kam qenë gjimnaziste e të njëjtës shkollë, pra kam reaguar si një ish gjimnaziste.
Prandaj, kërkoj nga të gjithë me mirëkuptim, që mos ta përdorin reagimin tim për sulme me qëllime politike kundër meje./InLajmi/