Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur në një konferencë për media, pas takimit me Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajçak dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-ve, njëherit përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, raporton InLajmi.
Kurti ka thënë se ne jemi të vendosur për t’i ndihmuar qytetarët e Kosovës.
‘’Qeveria e mbështet dhe është e anagazhuar në procesin e vendosur në Bruksel për dialogun parimor e të balancuar nga i cili do të përfitojnë të gjithë qytetarët e të 2 vendeve’’, tha Kurti.
Tutje ai ka thënë se Qeveria e Kosovës është e vendosur që integriteti territorial, sovraniteti si dhe kushtetutshmëria tërë kohën të ngelen të pacenuara nga çfarëdo përpjekje e ndokujt.
‘’Jam kryeministër i të gjithëve pa dallim, prandaj edhe jam i gatshëm që t’i përgjigjem nevojave të qytetareve të Kosovës dhe qytetarëve serbë, e duke pasur në vëmendje edhe praktikat dhe mënyrat të cilat i zbaton edhe Serbia’’, shtoi tutje Kurti.
Ai tha se nuk duhet të kemi qytetar që në një vend të jenë të privilegjuar e në një vend të diskriminuar.
Kurti tha se e mbështesin fuqishëm procesin e Berlinit dhe tregun e përbashkët rajonal duke theksuar se integrimet evropiane dhe euroatlantike nuk kanë alternativë.

‘’Evropa është kontinenti ynë dhe BE e NATO janë fati ynë’’, ka thënë Kurti.
Kryeministri Kurti tha se e dëshirojnë ndihmën e BE-së, ndihmë kjo që do të has në vendin tonë respektin më të lartë për vlerat evropiane.
‘’Vlerat dhe fondet evropiane i shohim si të lidhura pashkëputshëm njëra pas tjetrës’’, tha kryeministri Kurti.
Ai ka falënderuar Lajçak-un dhe Escobar-in për praninë e tyre në Kosovë si dhe për rolin dhe kontributin për raportin mes Kosovës dhe Serbisë si dhe mbështetjen për vendin tonë./InLajmi/