Hykmete Bajrami, nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se ngritja e çmimit të energjisë elektrike, propozim ky i ZRRE-së, nëse ndodhë do ta rëndojë edhe më shumë jetën e qytetarëve, raporton InLajmi.
“Duke e marrë parasysh gjendjen ekonomike të qytetarëve të Kosovës, ngritja e çmimit të energjisë veç do ta rëndojë edhe më shumë jetën e tyre”,tha Bajrami.
Ndërkohë njëra ndër kërkesat e shumta të LDK-së, sipas Bajramit është që për këtë vit të mos ketë fare ngritje të tarifave të energjisë elektrike.
“Në qershor kur edhe përfundon komplet sezona e ftohtë, ZRRE t’i hap diskutimet publike për tarifat e reja dhe t’i paralajmërojë qytetarët në mënyrë që të ketë një fazë përgatitore. Tarifat e reja do të mund të nisin të diskutohen në mes të 2022 “,tha Bajrami.
Për krizën energjetike, Bajrami tha se fajtor është Qeveria e Kosovës, derisa sipas saj përgjegjësi duhet të japin njerëzit brenda kabinetit qeveritar.
Në anën tjetër nëse ZRRE-ja nuk i merr parasysh propozimet e partive opozitare, me këtë rast LDK-së, atëherë do të ndjekin rrugën përmes Gjykatës Kushtetuese. /InLajmi/