Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka përkujtuar në 25 vjetorin e rënies së tyre, 3 heronjtë që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxha, përcjell InLajmi.
Ahmeti, tha se këta 3 heronjë ishin ata që i dhanë kushtrim lirie, forcë e shpirt qëndresës kombëtare për lirinë e Kosovës.
Ndryshe, Pajaziti, Zejnullahu e Hoxha më 31 janar të vitit 1997 ishin duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, derisa grupi i tyre zbulohet nga sigurimi serb të cilët i kishin vënë në pritë në fshatin Pestovë, ku të 3 bien heroikisht në luftë me ta.
Postimi i plotë i tij:
Pushkët e lirisë dhe rënia heroike e Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut 25 vjet më parë ishin kushtrim lirie që i dhanë shpirt e forcë edhe më të madhe qëndresës sonë kombëtare për lirinë e Kosovës.
Flakadani i atdhedashurisë së tyre qëndron i pashuar ndër ne dhe mbi themelet e sakrificës së tyre dhe të gjithë dëshmorëve qëndron sot e lirë dhe krenare Kosova jonë.
Lavdi e përjetshme emrit dhe veprës së Zahirit, Edmondit dhe Hakifit!/InLajmi/