Televizioni shtetëror rus ka emetuar pamje të bombarduesve Sukhoi, që janë dërguar në eksklavën e Kaliningradit në kohën e tensioneve të larta gjeopolitike me shtetet perëndimore.
4 aeroplanët luftarakë janë vendosur në bazën ajrore Çerniakovsk, duke fuqizuar edhe më shumë flotën ruse në Baltik.
Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, bombarduesit e rinj multidimensionalë kanë motorë më modernë krahasuar me modelet e vjetra SU-30.
Në të njëjtën ditë, Britania e Madhe e ka pranuar se ka “kërcënim real” të pushtimit rus të Ukrainë, duke njoftuar se trupat britanike “me gjasë” nuk do të dërgohen për të luftuar në asnjë konflikt.
Sekretarja e Punëve të Jashtme, Liz Truss, ka thënë se në vend të kësaj, Britani po i dërgon armë Ukrainës dhe po fuqizon sanksionet me qëllim që oligarkët e Kremlinit të mos mund të fshihen askund. Ajo ka thënë se Britania e Madhe po ofron ndihmë shtesë për aleatët e afërt të NATO-s. Por e ka pranuar se pushtimi i Ukrainës do të ishte i tmerrshëm për Evropën.
Rusia ka vendosur më shumë se 100 mijë trupa, tanke, artileri dhe raketa në kufi me Ukrainën, por mohon se do ta pushtojë ish-republikën sovjetike që kufizohet me Rusinë dhe Bashkimin Evropian, shkruan Alsat M.
Në Ukrainë, lëvizja Azov ka nisur trajnimet ushtarake për vullnetarët në Kiev. Ata po mësohen si të vetëmbrohen në rast të sulmit nga Rusia. Trajnimi me sloganin “Mos bëj panik, bëhu gati!” është mbajtur në periferi të Kievit, me pjesëmarrje të qindra vullnetarëve.