Avokati, Arianit Koci ka kritikuar sjelljen e Policisë së Kosovës në raport me protestën e djeshme të organizuar nga PSD-ja, përcjell InLajmi.
Koci thotë se është kundër veprimit të Dardanit sepse sjellja e tij në raport me një polic gjatë protestës nuk ishte e pranueshme.
Tutje avokati argumenton se është e drejtë e policit ta përdorë forcën propocionale për neutralizimin e sulmuesit, mirëpo në raste kur pengohet ose sulmohet në detyrën e vet, ndërsa në rastin e Dardanit e cilëson se kanë dështuar, sepse sipas tij ndryshe do të ishte situata po të ishte Molliqaj qytetar i thjeshtë dhe jo kryetar i PSD-së.
Koci thekson se Molliqaj ka mundur edhe të arrestohet e shoqërohet në stacion policor për veprimin e tij dhe në këtë rast policia sipas tij nuk e ka mbrojtur veten.
Në fund rithekson se nuk e mirëkupton veprimin e Dardanit. Ndërsa sa i përket videove që ka publikuar PSD-ja e ku pretendon që policia ka ushtruar dhunë ndaj Mollliqaj, ai shprehet se nëse ai vendos të procedohet kjo çështje, ai do ta mbronte atë në cilësinë e avokatit.
Postimi i plotë i tij:
Jam kundër sjelljes së Molliqajt në raport me policin.
Absolutisht!
Por, këto situata ndodhin në protesta.
Kryesi i një veprimi të ndaluar me ligj, sanksionohet.
Prandaj ekziston përgjegjësia penale apo politike.
Mundet me qenë që Dardani e ka pasë pjesë të strategjisë, veprimin e tillë.
Por, nuk dua të merrem me këtë pjesë të problemit.
Për mua, problem më i madh – shumë më i madh është sjellja e policit dhe kolegëve të tij.
Kur pengohet apo sulmohet në detyrën e vet, polici ka të drejtë ligjore, por edhe morale, me u mbrojtë. Me e përdorë forcën propocionale për neutralizimin e sulmuesit.
Sipas vlerësimit, edhe me e arrestu dhe me e shoqëru në stacion policor.
Nëse në rastin konkret, polici nuk e ka mbrojtur vetën.
Nëse se ka mbrojtur vetën, si do të na mbroj neve-në rast nevoje?
Shteti e ka aparatin e dhunës në dorë. Duhet ta përdorë, kur e vlerëson që është e nevojshme.
Në këtë rast, ka dështuar!
Dështimi është edhe më i madh, kur e dijmë që Dardani është fytyrë publike-kryetar i një partie politike.
A kishte ndodh ky tolerim, po të ishte në vend të Dardanit, ndonjë anonimus?
A e dini, sa persona janë proceduar për pengim të personit zyrtar?
Për sulm, as të mos flasim.
P.s
Nuk e mirëkuptoj veprimin e Dardanit.
Assesi.
Por, me më thirrë – natyrisht, nëse procedohet kjo çështje, e kisha mbrojtë, në cilësinë e avokatit.
Pa asnjë dilemë.
Kështu funksionon drejtësia! /InLajmi/