23 vite më parë në Rogovë të Hasit, gjegjësisht me datë 27,28, dhe 29 janar të vitit 1999 ranë dëshmorë 21 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përcjell InLajmi.
Këtë të shtunë, në përkujtim të këtyre 21 dëshmorëve, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka bërë homazhe tek monumenti i Dëshmorëve në Rogovë.
Mehaj, po ashtu tha se sot i kujton edhe 9 të rënë të tjerë në fshatin Goden dhe Bishtazhin të Komunës së Gjakovës.
Sipas ministrit të Mbrojtjes duke e kujtuar veprën dhe sakrificën e të rënëve për liri do të jemi më të fuqishëm për të ndërtuar të ardhmen e shtetit të Kosovës.
Postimi i plotë i tij:
Me kujtimin dhe nderimin e përjetshëm, sot bëmë homazhe tek Monumenti i Dëshmorëve në Rogovë të Hasit si dhe tek varrezat e dëshmorëve.
Në datat 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999 ranë dëshmorë 21 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shumë civilë të fshatit.
Aty heroikisht dhanë jetën: Agim Zeneli, Luan Smajli, Agron e Sejdi Rama, Pren e Memë Lleshi, Agush Gjoci, Valon Gashi, Bahtjar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çeta, Kasim Shala, Hamdi Berisha, Gezim Ademi, Haxhi Lypjani, Gaspër Karaçi, Ilir Merturi, Naim Gashi,Naim Dreshaj,Sahit Krasniqi dhe Vesel Avdyli.
Po ashtu, në këtë datë, kujtojmë edhe nëntë të rënë të tjerë në fshatin Goden dhe Bishtazhin të komunës së Gjakovës.
Duke kujtuar e nderuar sakrificën dhe gjakun e derdhur për Liri, jemi më të fuqishëm për të ndërtuar të tashmen dhe të ardhmen tonë!
Të lavdishëm gjithmonë!/InLajmi/