Frashër Krasniqi i PSD-së thotë se nëse do të vazhdojë rritja e çmimeve në vendin tonë do të ketë trazira sociale. Edhe një herë ka kritikuar qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.
“Albin Kurti i ka ndryshuar qëndrimet dhe kjo është arsyeja që na nuk jemi me ta. Nëse para më shumë se 5 vjetëve kam qenë i arrestuar dhe i burgosur kundër privatizimit të KEDS-it sot vazhdoj me protestuar kundër dhënies së milionave për atë kompani private”, thotë Krasniqi.
“Nuk ka asnjë vendim qeveria e Republikës së Kosovës, ta zëmë, për me rrit pagën minimale. A nuk është urgjente me rrit pagën minimale”, pyet Krasniqi.
Ai i konsideron “hajgare” disa vendime të Albin Kurtit.
“’Me ju dhanë ka 10 euro pensionistëve. Me bo hajgare. Prej 90 euro me ju bo 100 euro e këndej rrymën me ua trefishuar. Kjo është hajgare. Pse s’po e trefishon pagën minimale se në fund të fundit e ka pasur premtim elektoral se do ta bëjë pagën minimale 350 euro. Është urgjente paga minimale. Është dashtë në 2 muaj të qeverisjes me ndryshuar pagën minimale”, theksoi Krasniqi për RTV Dukagjini.
“Nesër në orën 14:00 do t’ia dërgojmë një propozim masiv ZRRE-së dhe qeverisë së Kosovës e propozimi masiv do të jetë se nëse ju gjeni zgjidhje, nuk është puna e jona kjo se ju jeni në qeveri, i keni 51%, veç nëse i rritni çmimet në këtë vend ka me pas trazira sociale. Ka ma pas protesta të mëdha dhe masive. Nuk është e drejtë me u rrit çmimi i rrymës kaq shumë”, shtoi ai.