86 vite më parë, gjegjësisht më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër ka lindur poeti, shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare, shkruan InLajmi.
Njëri ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, shquhet kryesisht për prozë, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe ese.
Në moshë shumë të re, shkrimtari Kadare nisi të shkruajë fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë kështu prozatori kryesorë shqiptar.
Në vitin 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës, për të vazhduar më pas në Moskë me studime për 2 vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960).
Ndërkohë, veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të huaja, duke qenë kështu përfaqësuesi kryesorë i letërsisë shqipe nëpër botë.
Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit Frymëzimet djaloshare, 1954, “Ëndërrimet”, 1957, por u bë i njohur sidomos me vëllimin “Shekulli im” 1961, që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male 1964, “Motive me diell” 1968 dhe “Koha 1976”.
Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e original, rol me rëndësi për pasurimin e poezisë shqiptare.
Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin “Princesa de Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015.
Ndryshe, viteve të fundit ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë./InLajmi/