Propozimi i ZRRE-së për të shtrenjtuar çmimin e energjisë elektrike do të rrezikoj seriozisht mbijetesën e pjesës më të madhe të qytetarëve të Kosovës, përcjell InLajmi.
Kështu ka deklaruar KMDLNJ, përmes një njoftimi për medie, derisa këtë propozim e ka quajtur diskriminues sidomos për faktin se nuk po vlen edhe për 4 komunat në veri.
KMDLNJ ka paralajmëruar se këto zhvillime do të shkaktojnë pakënaqësi sociale që do të nxisin protesta kundërshtuese, po ashtu do të ndikojnë në uljen e investimeve shkaku i pasigurisë ekonomike dhe politike.
Sipas KMDLNJ-së edhe qeveritë paraprake si dhe qeveria aktuale e kanë detyrim të sqarohen para qytetarëve të Kosovës, ndryshe do të jenë përgjegjës për plaçkitje të qytetarëve të Kosovës përmes faturimit të fryer dhe ndarjes së mjeteve për rrymë dhe shërbime të tjera për 4 komunat në Veri të Kosovës përgjatë 20 vjetëve të fundit.
Po ashtu KMDLNJ kërkon përgjigje se kur do të kompensohen qytetarët e Kosovës që janë plaçkitur në periudhën 15 vjeçare përmes fryrjes së faturave dhe se a është marrë në përgjegjësi dikush që e ka planifikuar, nuk e ka penguar dhe e ka zbatuar këtë plaçkitje./InLajmi/