Kryeministri i Kosovës, pas shumë pyetjeve nga deputetët e opozitës në Kuvendin e Kosovës ka ritheksuar se Kosova është në fazën e rritjes së rasteve me koronavirus dhe se nuk mund t’i lirojnë kaq shpejtë masat, raporton InLajmi.
“Nuk mund t’i lëshojmë kaq shpejt e shpejtë një lirim të masave deri sa ta kalojë piku i rasteve sidomos duke marrë parasysh gjendjen e brisht të sistemit tonë shëndetësorë”,ka thënë Kurti.
Ndërsa, ndër të tjera Kurti tha se nuk është e vërtetë që krejt bota po i liron masat.
“Sidomos në disa vende që janë në valën e rritjes së rasteve të variantit Omicron autoritetet shëndetësore po i shtrëngojnë masat. Polonia për shembull ka vendosur të gjithë nxënësit nga klasa e 5-të e sipër në mësime online”, deklaroi kryeministri Kurti.
Sipas tij, OKB nuk e ka rekomanduar kërkesën e certifikatës së vaksinimit në kufij jo për shkak që nuk është efikase në aspektin epidemiologjik po për një arsye tjetër të vetme.
“Sepse ka vende të botës kryesisht në Azi dhe Afrikë që ende nuk kanë mjaft vaksina në dispozicion. Dhe prandaj kërkimi i certifikatave në kufi konsiderohet diskriminues”,ka thënë ai./InLajmi/