Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në tryezën për programin e banimit adekuat social për Kosovë, përcjell InLajmi.
Kurti tha se banimi social është një infrastrukturë kritike për të ngritur mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve për barazi sociale.
‘’Funksioni i banimit social shkon përtej strehimit të njerëzve në nevojë, sigurimit të banimit të përballueshëm për komunitetet me të ardhura më të ulëta dhe përmirësimin e mirëqenies së tyre të përgjithshme’’, tha kryeministri.
Ai theksoi se kur projektohet në përputhje me principet e ekonomisë qarkore, duke integruar elementet sociale dhe ato ekologjike, banimi social ofron mundësi për zhvillimin e komuniteteve të reja e të qëndrueshme, mundësi për inovacion social, zhvillimin e bizneseve lokale dhe promovimin e praktikave qarkore, si të prodhimit, ashtu edhe të konsumit.
‘’ Është detyrë e jona që në një të ardhme të afërt të krijojmë mundësi për çdo qytetar që ka nevojë, të ketë qasje në shtëpi të sigurt e me cilësi të mirë, me kushtet për jetë të dinjitetshme, zhvillim personal e profesional. Përtej sigurimit të infrastrukturës fizike, programi i banimit do të përcaktojë edhe rrugën tonë të përbashkët drejt qëndrueshmërisë shoqërore, ekonomike dhe mjedisore’’, tha kryeministri Kurti.
Kurti theksoi se qeveria është duke punuar në këtë drejtim dhe programi i banimit social parashihet edhe në Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2021-2025.
‘’Ne synojmë të krijojmë programin për banim social, si dhe të mundësojmë banim të përballueshëm për 4 mijë familje. Kjo do të arrihet përmes skemës “120×120” dhe “150×150”, ku familjet përfituese do të bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove maksimumi dhe për një periudhë kohore prej jo më shumë se 120, përkatësisht 150 muajve. Kostoja vjetore e këtij projekti është rreth 22 milionë euro, mirëpo kjo shumë gradualisht i kthehet institucionit, i cili do të themelohet dhe ngarkohet me zbatimin e projektit’’, shtoi ai.
Në këtë tryezë u prezantua dhe diskutua Koncept propozimi për Programin e Banimit Adekuat Social për Kosovë, që do të kontribuojë në lëvizjen drejt zbatimit të reformave të nevojshme për zhvillimin e sektorit të banimit, formulimin e politikave dhe ofrimin e banimit social për qytetarët që kanë nevojë për mbështetje.
Ky koncept propozim u diskutua nga përfaqësuesit nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Ministria për Komunitete dhe Kthim, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Kuvendi i Kosovës, UN Habitat-it dhe Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës (CEB).
Tryeza e rrumbullakët u organizua nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Komisioni Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, në partneritet me UN Habitat-in Kosovë dhe mbështetur nga CEB./InLajmi/