Gabriel Escobar, ndërmjetësuesi special i Administratës Biden për Ballkanin Perëndimor, ka thënë se “status quo” në Kosovë po çon në eksod të vazhdueshëm të të rinjve në drejtim të shteteve të huaja.
Escobar, i pyetur për ecurinë e dialogut, ka kërkuar nga liderët kosovarë dhe ata serbë t’i japin prioritet dialogut.
“Më 2 shkurt do të udhëtoj për në Beograd dhe udhëheqësve në të 2 kryeqytetet do t’ua përcjellë të njëjtën porosi: mënyra me e mirë që udhëheqësit e të 2 vendeve të përmbushin premtimet para qytetarëve të tyre është duke i dhënë prioritet dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Kjo gjendje e tanishme e ngrirë, status quo, nuk po funksionon, siç po e shohim nga eksodi i vazhdueshëm i të rinjve që besojnë se e ardhmja e tyre është diku tjetër”, deklaroi ai.
“Shpresoj që udhëheqësit në Serbi dhe Kosovë ta kuptojnë rëndësinë e të ecurit përpara, e jo prapa, përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja drejt normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të tyre, që mbetet thelbësor për rrugëtimin e tyre përkatës drejt BE-së”, ka thënë më tej ai.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor pritet që të ofrojë modalitete ndaj liderëve kosovarë për çështjen e zbatimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që sipas tij, nuk e cënojnë sovranitetin e vendit, tha ai në një intervistë për Reporterin.
“Më lejoni të jem i qartë – askush nuk po i kërkon Kosovës që të vëjë në “kompromis” sovranitetin apo integritetin e saj territorial; ato çështje janë vendosur në mënyrë të qartë”, deklaron më tej ai në intervistë.