Shemsedin Dreshaj, deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në seancën e Kuvendit ku po diskutohet lidhur me pandeminë në vend, ka thënë se kjo sëmundje mund të tejkalohet me mbajtjen e maskës, mbajtjen e distancës, pra respektimin e masave standarde, raporton InLajmi.
“Shteti duhet të veprojë me masa sanksionuese për ata që nuk i respektojnë masat standarde, por jo masa shtesë dhe izolim. Shkurtimi i orarit të gastronomisë, i shkon për shtati vetëm kursimit të energjisë, por jo diçka tjetër. Veprimi me ndalesat kufitare, e orë policore nuk janë të nevojshme. Prandaj kryeministër hapi kufijtë, e në veçanti atë me Shqipërinë”,tha Dreshaj.
Tutje, ai ka bërë apel tek Qeveria e Kosovës që të kryhen sa më shumë testime.
“Promovojeni sigurinë e vaksinës, jo vetëm në një pikë por në shumë pika. Jepni vaksina madje edhe me ekipe mobile. Vaksinimi masiv është zgjidhja për të dalë nga kjo situatë. Ju rekomandoj që vaksinimin ta bëni obligative”,tha më tej Dreshaj./InLajmi/