Zyra e Rregullatorit për Energji, ka njoftuar se afati për ofrimin e komenteve lidhur me ristrukturimin e tarifave të energjisë elektrike, deri më datë 31 janar deri në orën 16:00, përcjell InLajmi.
Sipas njoftimit të tyre, palët të cila dëshirojnë të shprehin komentet e tyre, janë të lirë t’i bëjnë përmes email-adresës së tyre të paraqitur më poshtë.
Njoftimi i plotë nga Zyra e Rregullatorit për Energji:
Njoftimi për shtyrje të afatit për dhënie të komenteve
Zyra e Rregullatorit për Energji, duke marrë parasysh interesimin e palëve të interesit për të ofruar komente në raportet e publikuara për konsultim publik:
-Raportin mbi të Hyrat e Lejuara Maksimale (HLM) të Furnizuesit të Shërbimit Universal, të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), dhe
-Raportin Konsultativ që paraqet qëndrimet e ZRRE-së për ristrukturimin e tarifave të nevojshme për të përmbushur kostot e blerjes së energjisë elektrike dhe për të rivendosur furnizimin me energji elektrike për konsumatorë
Ka vendosur që të zgjatë afatin për ofrimin e komenteve deri me datë 31 janar 2022 deri në 16:00h.
Palët që dëshirojnë të shprehin komentet e tyre për qëndrimin e ZRRE-së ftohen t’i dorëzojnë komentet e tyre me shkrim në adresën ero.pricing‐tariffs@ero‐ks.org./InLajmi/