Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken thotë se SHBA nuk do të bëjë asnjë lëshim mbi kërkesat e Rusisë për Ukrainën dhe NATO në një përgjigje me shkrim paraqitur Moskës këtë të mërkurë.
Rusia kërkoi garanci që NATO të mos pranojë kurrë Ukrainën dhe vende të tjera ish-sovjetike si anëtare të aleancës ushtarake.
Gjithashtu Moska kërkoi që NATO të tërheqë trupat që ka aktualisht në vendet e ish-bllokut sovjetik.
“Nuk ka asnjë ndryshim, nuk do të ketë asnjë ndryshim”, ka deklaruar Blinken në përgjigjen ndaj Rusisë.
Përgjigja e SHBA i është dorëzuar zv.ministrit të Jashtëm rus, Alexander Grushko nga ambasadori amerikan në Moskë, John Sullivan.
SHBA nuk e ka bërë publike përgjigjen, por thotë se kërkesat kryesore të Rusisë janë të papranueshme.
Rusia ka paralajmëruar se do të marrë masa të menjëhershme ‘hakmarrëse’ nëse SHBA dhe aleatët e saj refuzojnë kërkesat.
Sekretari Blinken gjatë një interviste për CNN tha se nëse“qoftë një ushtar rus hyn në Ukrainë, Rusia do të marrë përgjigje nga SHBA dhe aleatët e saj.
Kremlini deri tani ka mohuar planet për të sulmuar Ukrainën, por SHBA dhe NATO i druhen një veprimi të tillë për shkak të vendosjes së rreth 100 mijë trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën.
Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov para deputetëve ka deklaruar se ai dhe zyrtarë të lartë do të këshillojnë presidentin Vladimir Putin për hapat e ardhshme pasi të marrin përgjigje nga SHBA.
“Nëse Perëndimi vazhdon kursin e agresionit, Moska do të marrë masat e nevojshme”, tha Lavrov.
I pyetur nëse kjo nënkupton zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak me vende si Kuba, Venezuela dhe Nikaragua, Lavrov tha se këto marrëdhënie do të intensifikohen, shkruan Euronews Albania.
Nga ana tjetër ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që Rusia të vendosë asete ushtarake në Kubë dhe Venezuelë nëse kërkesat nuk plotësohen.