Partitë opozitare në vend, PDK, LDK dhe AAK, kanë lëshuar këtë të mërkurë sallën e Kuvendit të Kosovës pasi që nuk është votuar rezoluta që kërkon anulimin e propozimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike, për shkak të mungesës së kuorumit, raporton InLajmi.
Besnik Tahiri, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në një konferencë për media, i është drejtuar me një ankesë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.
“Populli ju ka votuar me kriju zgjidhje dhe jo duke ja vështirësuar gjendjen si kjo me shtrenjtim të energjisë. Mos i ikë përgjegjësisë, kryeministër. Papërgjegjësia do të sjell rrezik të situatës. Do të vijë një moment kur të vjen fatura e parë për ta paguar energjinë atëherë do të shihet reagimi”,ka thënë Tahiri.
Ndërsa Abelard Tahiri, nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk e kupton se çfarë përgjegjësish i ka ZRRE-ja me e nda Kosovën përmes tarifave të energjisë elektrike.
“Mendoj se tash neve po na del një problem goxha i madh politik. Janë hapë disa probleme të reja dhe duhet të ketë sqarime. Krahas kundërshtimit me energji elektrike është edhe një problem tjetër, pra qytetarët e veriut nuk përfshihen në tarifat e reja”,ka thënë Tahiri./InLajmi/