Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, tha se vlerësimi më i mirë për menaxhimin e pandemisë do të bëhet kur do të shpallet e mbyllur pandemia, raporton InLajmi.
“Pandemia është një maratonë dhe nuk është një pandemi e cila zgjat disa muaj, vlerësimi më i mirë për menaxhimin e pandemisë do të bëhet kur do ta shpallim të mbyllur pandeminë”,ka thënë Krasniqi.
Kosova, sipas Krasniqit ka menaxhuar pandeminë në mënyrën më të mirë.
“Sa i përket kapaciteteve të SHSKUK-së, ju e dini qe kemi arritur që deri më tani të sigurojmë shtretër të mjaftueshëm për çdo pacientë që ka pasur nevojë të shtrihen. Kemi arritur të sigurojmë mjek dhe infermierë, barna në sasi të konsiderueshme”,u shpreh ai.
Më tej, ai foli edhe sa i përket furnizimit me oksigjen në Klinikat ku janë të shtrirë pacientë me koronavirus.
“Furnizimi është i rregullt dhe është stabil sa i përket furnizimit me oksigjen”,ka thënë ai./InLajmi/