Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sejdi Veseli është dëshmitari i radhës në gjykimin që po zhvillohet ndaj Salih Mustafës për krime lufte pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, raporton InLajmi.
Veseli nga Gjykata Speciale është pyetur në theks të veçantë këtë të martë për BIA-në, derisa ai ka dhënë shpjegimin se përse është quajtur kështu.
“BIA-Bahria, Iliri, Agroni të cilët kanë rënë në luftë”, ka shpjeguar Veseli.
Më tej ai është pyetur edhe për pseudonimin e Salih Mustafës, ku dëshmitari Veseli ka treguar se të gjithë e kanë quajtur me pseudonimin Cali.
Ndryshe, aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën 6 personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate./InLajmi/