Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dënuar aktin e vendosjes së mjetit shpërthyes në shtëpinë e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Dukës, përcjell InLajmi.
Meta iu ka bërë thirrje të gjitha instutucioneve të zbatimit të ligjit, që ta zbardhin me transparencë këtë rast apo siç e quan ai “ngjarje të rëndë”.
Sipas presidentit të Shqipërisë, një akt i tillë kriminal e shton emergjencën për ndalimin sa më parë dhe nxjerrjen para drejtësisë të autorëve të këtij akti.
Postimi i plotë i tij:
Dënoj me forcë aktin terrorist në familjen e Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, z.Armando Duka dhe u bëj thirrje të gjithë institucioneve ligjzbatuese të zbardhin me transparencë këtë ngjarje shumë të rëndë.
Një akt i tillë kriminal, në vijim të dhunës verbale, shantazhit dhe presioneve publike, shton emergjencën për ndalimin sa më parë dhe nxjerrjen para drejtësisë të frymëzuesve dhe autorëve. /InLajmi/