Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se Shqipëria e mbështet fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, përcjell InLajmi.
Meta bën apel për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nëpërmjet dialogut dhe mjeteve diplomatike mes Rusisë dhe Ukrainës.
Ai thekson se i bashkohet shqetësimit të NATO-s, për rritjen e numrit të trupave dhe mjeteve ushtarake ruse në kufijtë me Ukrainën, duke theksuar se ky agresion ushtarak ndaj Ukrainës përbën kërcënim direkt për sigurinë evropiane si dhe shkelje të të drejtave ndërkombëtare.
Postimi i plotë i tij:
Bashkohem me shqetësimin e partnerëve tanë të NATO-s për rritjen e paprecedentë të numrit të trupave dhe mjeteve ushtarake ruse në kufijtë me Ukrainën dhe kërcënimit për fillimin e një agresioni ushtarak ndaj një vendi sovran dhe mik.
Kërcënimi dhe eventualisht agresioni ushtarak ndaj Ukrainës përbëjnë kërcënim direkt ndaj sigurisë evropiane dhe shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare. Shqipëria mbështet fuqimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe apelon për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nëpërmjet dialogut dhe mjeteve diplomatike. /InLajmi/