Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të rishikojë masën e marrë në kuadër të masave anti-COVID, saktësisht nevojën e domosdoshme për certifikatën e vaksinimit me 3 doza.
Sinani tha se kjo masë e vendosur nga Qeveria e Kosovës ka vështirësuar dukshëm lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Preshevës.
“Ftoj Qeverinë e Kosovës që ta rishqyrtojë vendimin përkatës, apo edhe ta plotësojë, drejt lehtësimit të lirisë së lëvizjes së qytetarëve të rajonit tonë”, tha ajo.
Përpos Sinanit mbrëmë një kërkesë të tillë ministrit të Shëndetësisë Rifat Latifi ia parashtroi edhe ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut.
E kundër këtij vendimi sot në pikën kufitare në Morinë të Shqipërisë do të ketë protesta.
Kjo protestë është thirrur me qëllim të heqjes së pengesës për lëvizje të lirë të shtetasve shqiptarë, të cilët nuk janë të vaksinuar me të tri dozat e vaksinës kundër COVID-19, siç e parasheh vendimi i Qeverisë së Kosovës, që askush nuk mund të hyjë në Kosovë pa pasur dëshminë e vaksinimi me të tri dozat e vaksinës, shkruan Lajmi.net.
“Njoftohen të gjithë banorët e rrethit të Kukësit se më datë 24.01.2022 në orën 10 do të zhvillohet një grevë paqësore pranë doganës së Morinit. Për arsye të heqjes së pengesave të lëvizjes së lirë të shtetasve shqiptarë nga ana e Qeverisë së Kosovës. kërkojmë mbështetjen e të gjithëve pasi nuk është protestë politike por paqësore në shërbim të komunitetit”, ka njoftuar organizatori i kësaj proteste Rakip Matmuja.