Varianti Omikron ka shtuar ndjeshëm shifrat e infektimeve në Kosovë.
Nga data 23 janar Kosova futet sërish në listën e vendeve të rrezikuara nga virusi për Gjermaninë.
Varianti Omikron i virusit korona ka bërë që gati 3/4 e rreth 200 vendeve të botës të kategorizohen si zona rreziku në Gjermani. Tek 136 vendet që janë të vendosura në listën e rrezikut të Institutit Robert Koch, shtohen të dielën edhe disa vende të tjera.
Kjo listë reflektohet pastaj tek rekomandimet e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë për udhëtimet dhe kufizimet e udhëtimit drejt këtyre vendeve, shkruan DW.
Nga nesër, Kosova renditet sërish në listën e zonave me rrezik të lartë të virusit. Në këtë listë renditen tani edhe Rumania, Republika e Moldavisë, Maroku, Tunizia, Algjeria, Arabia Saudite, Japonia e vende të tjera.