SHBA dhe Rusia do të vazhdojnë bisedimet për zhbllokimin e situatës. Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov takohen sot në Gjenevë, por pak shpresa ka se mund të arrijnë një marrëveshje.
Presidenti Joe Biden paralajmëroi Rusinë nëse do të pushtonte Ukrainën.
“Unë kam qenë absolutisht i qartë me Presidentin Putin. Nuk ka asnjë keqkuptim, nëse ka ndonjë njësi ruse të mbledhur përtej kufirit ukrainas, është një pushtim. Por do të përballet me reagimin e ashpër dhe të koordinuar ekonomik. Kemi diskutuar në detaje me aleatët tanë, si dhe e kemi bërë shumë të qartë për Presidentin Putin”, u shpreh Presidenti Biden.
Për shumë ukrainas frika nga lufta është reale. Disa po i bashkohen trajnimeve ushtarake për të qenë të përgatitur.
Rusia ka vendosur 100 mijë trupa në kufi, por mohon planifikimin për pushtim, shkruan Euronews.al.
Presidenti Vladimir Putin ka insistuar se Ukraina nuk duhet të lejohet kurrë të bashkohet me NATO-n. Ai gjithashtu dëshiron që aleanca mbrojtëse të braktisë aktivitetin ushtarak në Evropën Lindore.