Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) këtë të mërkurë ka prezantuar analizën “Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme: problemet juridike të Projektligjit aktual”, raporton InLajmi.
Në këtë Projektligj u tha se ka shumë paqartësi sa i përket udhëheqjes së drejtorit të kësaj Byroje dhe shkarkimit të tij nga ana e Kuvendit.
Hulumtuesi në IKD, Gzim Shala, ka thënë në konferencën për media ku është prezantuar një problem lidhur me drejtorin e përgjithshëm i cili emërohet me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi.
“Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme: problemet juridike të Projektligjit aktual, Byroja udhëhiqet nga drejtori i përgjithshëm. Konform këtij Projektligji, drejtori i përgjithshëm është autoriteti kryesor për fillimin e verifikimit të pasurisë dhe fillimin e procedurave të konfiskimit. Problemi qëndron në atë se drejtori i përgjithshëm emërohet me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi (me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë), pas propozimit të Komisionit mbikëqyrës të Kuvendit”,thotë Shala
Sipas tij ndër autoritetet kryesore për të implementuar qëllimin e Projektligjit emërohet lehtësisht nga partitë në pushtet.
“Shto këtu që mandati i drejtorit ka garancione tejet minimale, ku i njëjti mund të shkarkohet mbi bazën e pa precizuar sa duhet të “dështimit në përmbushjen e mandatit ligjor”. Në rrethana të tilla, është e pamundur që Byroja të mund të cilësohet si institucion i pavarur dhe i paanshëm në ushtrimin e detyrave. Drejtori i përgjithshëm do varet tërësisht nga partitë në pushtet; përkatësisht, me ndërrimin e shumicës parlamentare në Kuvend, nën rregullimin aktual, do të ndërrojë edhe drejtori i përgjithshëm” ka theksuar Shala.
E Jeton Hasani nga IKD ka thënë se Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme nuk ka një standard adekuat të provimit në gjykatë.
“Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme: problemet juridike të projektligjit aKtual. Në rastet para se të paraqitet propozimi për konfiskim nga Byroja, siç duket gjykata mund të caktojë masën e përkohshme të sigurimit pa një prag adekuat të të provuarit. Përkatësisht, mjafton që të jetë i besueshëm pretendimi i Byrosë që po qe se nuk caktohet masa e përkohshme, pasuria mund të mos jetë më në dispozicion të subjektit. Por nuk kërkohet ndonjë standard i të provuarit se pasuria që kërkohet të sigurohet përkohësisht, në fakt, ka prejardhje të dyshimtë”,tha Hasani.
Sipas tij në rastin konkret nuk ka fare standard të të provuarit, pra mjafton që pronësia të rrezikohet nga tjetërsimi, asgjësimi, e të ngjashme. /InLajmi/