Qeveria e Albin Kurtit qysh nga ardhja e saj në pushtet e ka pasur “kryefjalë” luftimin e krimit dhe korrupsionit, shkruan InLajmi.
Aksionet e Policisë së Kosovës të ndërmarra në Veri të vendit, pastaj së fundmi në rastin “Brezovica”, sipas analistit Xhevdet Pozhari janë sinjale se kjo Qeveri do të jetë e pakompromis.
“Qeveria Kurti deri më tani ka dhënë sinjale se do të jetë e pakompromis ndaj krimeve të cilësdo natyrë, e veçanërisht krimeve ekonomike ku përfshihet një rrjet i tërë i mirëorganozuar dhe ku nuk mungojnë as zyrtarët e lartë shtetëror që kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare. Zero tolerancë ndaj krimit është maksima e vetme që duhet të ndjekë kjo Qeveri dhe që besoj se do të pasohet me Vettingun e shumëpërfolur dhe konfiskimin e pasurisë së Pajustifikueshme”,tha Pozhari në një prononcim për Gazetën InLajmi.
Sipas tij, luftimi i krimit dhe korrupsionit, veçanërisht i krimit të organizuar kur shumë njerëz u pasuruan jashtëligjshëm, ka qenë sfida kryesore e institucioneve të Kosovës.
E hallka e dobët e sistemit të drejtësisë, sipas tij ka ndikuar në të shumtën e rasteve që kriminelë me vepra të ndryshme penale të jenë në liri.
“Nëse kjo Qeveri do të arrijë të realizojë këto 2 objektiva, atëherë do ta dimë se thënia “askush mbi ligjin” nuk është utopi në Kosovë, por themel i shtetndërtimit. “Dubrava 12 kat” nuk do të duhej të mbetej veç premtim elektoral, por edhe realitet ku do të shihnim më qartë fytyrat e atyre që e zhvatën dhe e shkatërruan të ardhmen e këtij vendi”,tha më tej Pozhari./InLajmi/