Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka pritur sot në takim pune, ministrin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, me të cilin ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave.
“Me kënaqësi prita sot në takim ministrin e Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, me të cilin diskutova për mundësitë e bashkëpunimi konkret mes Komunës së Malishevës dhe dikasterit qeveritar që ai drejton”, tha kryetari Kastrati pas takimit.
Ai gjithashtu tha se komuna që ai e drejton ka nevojë për investime dhe përkrahje qeveritare dhe për këtë, si kryetar i Malishevës do të jetë i hapur e bashkëpunues me të gjithë, gjithnjë në funksion të realizimit të projekteve me interes për qytetarët.
”Ministrin Damka e falënderova për vizitën, i shpreha gjithë gatishmërinë tonë komunale për të qenë bashkëpunues dhe sigurisht që ramë dakord që këtë frymë të mirë komunikimi ta vazhdojmë edhe në të ardhmen”, tha kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati./InLajmi/