Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve në Kosovë, Petrit Kllokoqi, ka bërë të ditur se kanë vizituar fondacionin ‘’Freskia’’ që ndihmon nënat vetëushqyese, përcjell InLajmi.
Kllokoqi ka thënë se në këtë vizitë u bë prezantimi i produkteve të pastiçerisë “Nektarina”, të rrobaqepësisë “Thurje”, dhe të kursit të punimeve artizanale.
Ai tha se ne blejmë këto produkte, për të ndihmuar familjet e shumta në nevojë.
‘’Me këtë rast urojmë që përmes solidarizimit të të gjithë juve dhe neve si shoqatë, ti bashkojmë forcat duke lehtësuar gjendjen e familjeve në nevojë dhe uljen e varfërisë e cila është rritur së fundi, dhe duke i shtuar bizneseve tuaja vlerë në industrinë kulinare të gastronomisë edhe më shume me produkte unike tradicionale’’, shkruan tutje ai.
Postimi i plotë i tij:
Po e nisim kështu. Bamirësia është një akt mirësie kur një person i cili ka më shumë, kontribon një pjesë të të ardhurave të tij për plotësimin e nevojave të atyre që kanë mundësi më pak.
Kësaj here, përfaqësuesit e Shoqatë së Gastronomëve të Kosovës, për të zgjeruar më shumë bamirësinë si akt, ka vizituar Fondacionin “Freskia”, e cila operon duke i ndihmuar nënat vetëushqyese dhe rreth 130 fëmijë jetimë të cilët kanë gjendje ekonomike të rëndë, përmes trajnimeve të përgaditjes së deserteve tradicionale dhe orientale të cilat i preferojnë pothuajse të gjitha familjet në Kosovë.
Gjatë kësaj vizite u bë prezantimi i produkteve të projekteve zhvillimore sociale që funksionojnë në kuadër të Fondacionit Freskia. Fjala është për produktet e pastiçerisë “Nektarina”, të rrobaqepësisë “Thurje”, dhe të kursit të punimeve artizanale.
Përmes bashkëpunimit në këto aktivitete bamirëse, ne ndihmojmë në blerjen e produkteve të cilat prodhohen nga kjo organizatë, dhe kontribojmë direkt dhe indirekt në përkrahjen e mirëfilltë të familjeve të shumta në nevojë. Prandaj, ju bëjmë thirrje që çdo gastronom dhe secili prej jush të ofroni mbështetjen tuaj në këtë kauzë të shëndetëshme bamirëse.
Në gjendjen që ka ardhë vendi ynë, numrat asnjëherë nuk mjaftojnë, por sadopak mjafton fakti për të gëzuar një familje të një vllau ose motre shqiptare.
Me këtë rast urojmë që përmes solidarizimit të të gjithë juve dhe neve si shoqatë, ti bashkojmë forcat duke lehtësuar gjendjen e familjeve në nevojë dhe uljen e varfërisë e cila është rritur së fundi, dhe duke i shtuar bizneseve tuaja vlerë në industrinë kulinare të gastronomisë edhe më shume me produkte unike tradicionale./InLajmi/