I pari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka përkujtuar sot 2 vëllezërit, Jusuf e Bardhosh Gërvallën si dhe Kadri Zekën në përvjetorin e 40 të vdekjes së tyre, përcjell InLajmi.
3 heronjtë e Kosovës u vranë në një atentat në Gjermani nga shërbimi sekret jugosllav, por sipas Krasniqit 3 ranë, por me mijëra u ngritën.
“3 shqiptarë shembullorë që nuk u ndalën deri në flijim për Atdhe, ranë natën e 17 janarit, por me mijëra të tjerë u ngritën. Shpirti çlirimtar shqiptar, që deri në atë kohë funksiononte në mënyrë të shpërndarë e në organizata të shumta ilegale, në dekadën pasuese u bashkua si asnjëherë më parë rreth një qëllimi– për Kosovën e Lirë”,ka shkruar Krasniqi.
Postimi i plotë i tij:
3 ranë, me mijëra u ngritën!
Sot bëhen 40 vjet, nga 17 janari i vitit 1982, prej që në Untergrupenbach të Gjermanisë shërbimi sekret jugosllav ekzekutoi 3 heronjtë e Kosovës, vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe veprimtarin Kadri Zeka.
“Ka qenë UDB-ja”- u kishte thënë policisë gjermane Jusufi, para së të mbyllte sytë përgjithmonë. Një dëshmi e fundit për të vërtetën, për vrasësit, për pushtuesin dhe, mbi të gjitha, një thirrje për mobilizim gjithë-shqiptarë.
Por, ashtu siç Jusufi e kishte parashikuar, madje edhe dëshiruar në ditarin e tij, pikërisht duke hyrë në një rrezik të madh të asaj kohe, Kosova do të gjente shpëtimin. E, në këtë ideal, shkruan ai, do të ishte nder për të që ta jap edhe jetën.
Ashtu edhe ndodhi. 3 shqiptarë shembullorë që nuk u ndalën deri në flijim për Atdhe, ranë natën e 17 janarit, por me mijëra të tjerë u ngritën.
Shpirti çlirimtar shqiptar, që deri në atë kohë funksiononte në mënyrë të shpërndarë e në organizata të shumta ilegale, në dekadën pasuese u bashkua si asnjëherë më parë rreth një qëllimi– për Kosovën e Lirë.
Ai shpirt më vonë themeloi UÇK-në, e cila u dha kuptim e rezultat sakrificave e angazhimeve të qindra e mijëra patriotëve që punuan për çlirimin e Kosovës nëpër dekada.
Sot, të lirë dhe të ndërgjegjshëm për historinë, kujtojmë ata që dhanë gjithçka që kishin, përfshirë edhe jetën e tyre!
Lavdi të përjetshme heronjve, Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka!/InLajmi/