Studiuesi Afrim Krasniqi, komentoi vizitën e kësaj të hëne të presidentit të Turqisë Erdogan në Tiranë, duke u shpreh se krahasuar me vizitën e vitit 2015, vizita e sotme nuk pati asnjë element të ri.
“Në vitin 2015, Erdogan takoi edhe presidentin e Shqipërisë, ndërsa në rastin konkret, ai e nisi dhe e mbaroi vizitën me kryeministrin Rama. Në elementët e tjerë, ne shohim se është i njëjti mesazh që dha edhe në vitin 2015, në lidhje me ata që quhen rivalët e tij politikë që ai i quan terroristë. Ai ishte sot për të shijuar suksesin e tij. Nëse ne bëjmë një krahasim mes botës perëndimore dhe botës orientale, rrallë ndodh në botën perëndimore që të gjesh ndonjë lider që përuron sheshe me emrin e tij ose ndërtesa me emrin e tij. Ne kemi pasur president amerikan në Shqipëri, kemi pasur, kancelar gjerman e zyrtarë të tjerë të rëndësishëm dhe asnjëherë nuk janë përgatitur turma për t’i pritur në Rinas. Në rastin e Turqisë, kjo ndodh pasi ka të bëjë me një kulturë tjetër politike, me një model tjetër”, tha ai ne emisionin “Në debat me Alba Albishanin” .
Më tej, Krasniqi evidentoi edhe 2 tezat e përsëritura nga Erdogan, që sipas tij janë problematike.
“Erdogan u tregua korrekt në atë që quhet fqinjësi dhe bashkëpunim, por nga ana tjetër përsëriti 2 teza që mendoj se janë problematike. Së pari, ne jemi vend i NATO-s dhe çdo kundërshtar politik në Turqi nuk mund të jetë terrorist dhe Shqipëria nuk ka një vendim zyrtar dhe as një shqyrtim për asnjë nga kategoritë që ai citon në mënyrë të vazhdueshme. Për ne, ata janë qytetarë që respektojnë ligjet e shtetit shqiptar, janë me leje këtu, janë investitorë, janë zyrtarë që respektojnë ligjet”, tha ai.
“Së dyti, Erdogan bën të njëjtin gabim që bën çdo politikan turk që vjen në Shqipëri, duke ngatërruar perandorinë Otomane me Turqinë dhe duke bashkuar vëllazërinë me Turqinë, si vëllazërinë me Perandorinë Osmane”, tha ai shkruan A2CNN.
“Në fakt janë 2 gjëra të ndryshme. Ne nuk jemi 600 vjet vëllazëri, por ka qenë një fuqi pushtuese e Shqipërisë. Ne kemi vëllazëri dhe bashkëpunim me Turqinë moderne të krijuar nga Ataturku dhe që vazhdon të jetë sot, pavarësisht problematikave që ka”, u shpreh Krasniqi.