Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj sot ka përkujtuar 2 vëllëzërit Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekën në 40 vjetorin e rënies së tyre dhe heroin kombëtarë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në 554 vjetorin e vdekjes, përcjell InLajmi.
Sipas Haradinajt sot kujtohen 2 ngjarje në 2 kohë, me personazhe që kanë pasur një qëllim, mbrojtjen e Shqipërisë.
Pas homazheve, Haradinaj ka vizituar edhe familjen Gërvalla në Dubovik, ku eprorit të dalluar të UÇK-së Isa Gërvalla i ka ndarë medaljen “Me besim në zot, atdhe e shtet ” për kontribut të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare.
Postimi i plotë i tij:
Sot përkujtojmë 2 ngjarje në 2 kohë, me personazhe që kanë pasur një qëllim, mbrojtjen e Shqipërisë.
Zemra e themeltarit të Shqipërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, pushoi së rrahuri me 17 janar 1468. Gjenerali që është frymëzim për secilin që ndihet shqiptar e trashëgimia e së cilit ndezi zjarrin e kryengritjeve tona për liri përgjatë shekujve.
Poashtu, vendosëm lule të freskëta për heronjtë e Kosovës, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, që ranë po me 17 janar, 40 vjet më parë. Ideatorë të lëvizjes kombëtare për liri e pavarësi që bashkuan dhe prinë shqiptarët drejt çlirimit, deri në frymën e tyre të fundit.
Pas homazheve, kam vizituar edhe familjen Gërvalla në Dubovik, ku eprorit të dalluar të UÇK-së Isa Gërvalla i kam ndarë medaljen “Me besim në zot, atdhe e shtet “për kontribut të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare.
RH/InLajmi/