Dugolli thotë se nuk ka prishje të raporteve me ndërkombëtaret pas refuzimit të referendumit.
Deputeti i LVV-së, Enver Dugolli në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se institucionet, Qeveria, Parlamenti, opozita kanë qenë në nivelin e duhur të detyrës me rastin e refuzimit të referendumit serb në Kosovë.
“Është një shembull që duhet të krenohemi, por aspak me tone triumfaliste pasi asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur por vetëm është mbrojtur sovraniteti i vendit dhe nuk është lejuar të mbahet një praktikë e gabuar”, tha ai.
Dugolli thotë se ky është një sinjal i mirë që miqtë tanë ndërkombëtarë që Kosova është pjekur si shtet.
“Kjo tashmë është një temë e mbyllur dhe Kosova më nuk do të duhej të priste kërkesa të tilla nga ndërkombëtarët”.
Deputeti i LVV-së thotë se refuzimi i referendumit serb është tregues se nuk prishemi aq lehtë me QUINT-in.
“Edhe pse një ditë më parë atë paralajmëruan që të lejohet referendumi serb, një ditë më pas bashkë me liderët e Kosovës ata ishin në Reçak. Pra nuk kishte aspak ftohje të raporteve”.
Dugolli thotë se ndërkombëtarët kërkuan që të zbatohet praktika e mëhershme që kanë ndërtuar qeveritë tona në raport me zgjedhjet serbe, përcjell Telegrafi.
“Pra faji ka qenë tek në që kemi lejuar praktika të këqija”, deklaroi tutje deputeti i LVV-së.