E diela në veriun e Mitrovicës nisi me një protestë.
Një numër i serbëve i prirë nga kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq, u mblodhën për të shprehur pakënaqësinë lidhur me refuzimin e mbajtjes së referendumit në Kosovë.
Rakiq tha se do të vendosin reciprocitet në veri të vendit nëse Qeveria e Kosovës nuk e lejon mbajtjen e zgjedhjeve serbe të 3 prillit.
Ai, kur u pyet se për çfarë reciprociteti bëhet fjalë, pohoi se nuk mund të përgjigjet për këtë.
Sipas tij, ky lloj reciprociteti do të bëhet vetëm në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potoku, Leposaviqit dhe Zveçanit, duke shtuar se më pas do të vendoset edhe në komunat tjera.
Nga ky tubim nuk pati incidente.
Pas përfundimit të kësaj proteste në mënyrë të organizuar ia mësyjnë Serbisë për të marrë pjesë në votimet për referendum.
E pas kësaj “stuhie” politike veriut të Kosovës i është kthyer qetësia.
Nga afër situata e sigurisë po monitorohet nga Njësia Speciale, që janë vendosur në Jarinjë.
Të shtunën Kuvendi i Kosovës votoi rezolutën kundër mbajtjes së referendumit në vendin tonë, raporton Lajmi.net.
Referendumi në Serbi po mbahet për të ndryshuar Kushtetutën e këtij vendi.