Lëvizja Vetëvendosje-Qendra në Prishtinë, ka dalur me kritika ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, kjo për moszgjedhjen e ekipit të drejtorëve, përcjell InLajmi.
Ata e kanë quajtur këtë fillim dëshprues, duke kritikuar kryetarin Rama se fatin e kryeqytetit e ka lënë në mëshirën e fatit.
Tutje ata kanë përmendur disa nga problemet që po qarkullojnë ditëve të fundit në Prishtinë, duke theksuar se këto janë probleme emergjente e që presin vetëm veprimin e Ramës dhe drejtorëve të rinj që nuk janë askund.
Andaj LVV në Prishtinë ka kërkuar që sa më parë të kompletohet ekzekutivi i komunës dhe të emërohen drejtorët.
‘’Vonesat e mëtutjeshme do ta vështirësojnë edhe më tepër veprimtarinë e përditshme dhe mirëqenien e qytetareve të Prishtinës’’, thuhet në reagimin e tyre.
Reagimi i plotë nga Lëvizja Vetëvendosje-Qendra në Prishtinë:
Kishin mjaftuar 2 orë nga mbyllja e votimeve për pranimin e rezultatit zgjedhor nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe kandidati per kryetar, Arben Vitia, por nuk mjaftuan as 2 muaj të plotë që kryetari i zgjedhur ta zgjedh ekipin e tij, konkretisht t’i emëroj drejtorët dhe ta kompletoj ekzekutivin e kryeqytetit.
Sot, kur po bëhen 2 muaj nga dita e zgjedhjeve, jemi dëshmitarë të një fillimi dëshpërues dhe aspak shpresëdhënës nga Përparim Rama, i cili gjatë gjithë fushatës me pompozitet deklaronte se “e ka ekipin e gatshme” dhe “do të filloj punën menjëherë”. Siç po shihet Rama nuk paska qenë fare i sinqertë në deklaratat e tij.
Përkundër faktit se kanë arritur koalicion me një pjesë të partive me të cilat ishin bashkë edhe me 14 nëntor, LDK-ja dhe kryetari Rama, e kane lënë qytetin dhe qytetaret tash e 2 muaj në mëshirën e fatit, pa udhëheqës e pa adresë të saktë për adresimin e problemeve dhe kërkesave.
Rritja e numrit të pacientëve nëpër QMF-ja si pasojë e gripit sezonal dhe variantit të ri të COVID-it, reshjet e borës dhe rrugët me akull, problemet dhe pakënaqësitë e qytetarëve me ndërmarrjen “Prishtina Parking”, skadimi dhe mos vazhdimi i lejeve të punës për shitësit ambulant, rritja e rrezikut nga qentë endacakë si pasojë e temperaturave të ulëta dhe mungesës së ushqimit – janë vetëm disa nga problemet e shumta emergjente që janë grumbulluar e që presin veprimin e zotit Rama dhe drejtoreve të tij që akoma nuk janë askund.
Prandaj, Grupi i Këshilltarëve Komunal të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, vlerëson se është e nevojshme dhe e domosdoshme, sa më parë të kompletohet ekzekutivi i Komunës, të emërohen drejtorët, të funksionalizohen komisionet e Kuvendit Komunal dhe të fillojë puna e përditshme komfor autorizimeve dhe kompetencave ligjore. Vonesat e mëtutjeshme do ta vështirësojnë edhe më tepër veprimtarinë e përditshme dhe mirëqenien e qytetareve të Prishtinës.
Grupi i Këshilltarëve të Kuvendit Komunal të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë./InLajmi/