Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka kthyer përgjigje ambasadës britanike në Kosovë për shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit, e cila më parë tha se ishte e befasuar me këtë veprim të KPK-së pasi ka kërkuar mbështetjen e ambasadës.
KPK ka thënë se ka njoftuar me kohë të gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe vendorë me agjendën e takimit të 208 të saj, ku ishte caktuar si pikë e rendit të ditës propozimi për shpalljen e Konkursit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit
“Këshilli Prokurorial i Kosovës, ashtu siç ka marrë vendim për shpalljen e konkursit, duke u bazuar në afatet ligjore, do të vazhdojë të gjitha procedurat deri në zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri, duke respektuar ligjet dhe aktet e tjera nënligjore që rregullojnë këtë proces”.
KPK ka thënë se sikurse në proceset e tjera, edhe në këtë proces do të ftojë partnerët ndërkombëtarë për monitorim, me qëllim që të jetë sa më transparente zgjedhja e Kryeprokurorit të ri të Republikës së Kosovës
“Këshilli Prokurorial i Kosovës vlerëson lart mbështetjen e vazhdueshme që po japin partnerët ndërkombëtarë, andaj edhe do të vazhdojë të bashkëpunojë për të gjitha proceset e sistemin prokurorial të Kosovës, me qëllim të fuqizimit dhe ngritjes së vazhdueshme të efikasitetit të këtij sistemi”, njofton Klan Kosova.
Ndryhe, KPK, më 12 janar 2022, shpalli konkursin për Kryeprokuror të Shtetit pasi kryeprokurorit Aleksandër Lumezi i përfundon mandati në prill.