KLMDNJ, ka reaguar së fundmi pasi që Komisioni i Zgjedhjeve në Serbi është deklaruar se i ka bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e një refrendumi në Kosovë për ndryshimet kushtetuese por se po pengohet nga Qeveria e Kosovës përkatësisht nga Kryeministri Albin Kurti, përcjell InLajmi.
Nga KLMDNJ për këtë çështje kanë fajësuar pikërisht Joseph Borrell , përfaqësues i BE-së për politikë të jashtme dhe në të njëjtën kohë edhe zëdhënës i Aleksandar Vuçiqit brenda BE –së si dhe Velko Odalloviq , aktualisht sekretar i Kuvendit të Serbisë.
“Se Velko Odalloviq është agresiv në propagandën e tij kundër Kosovës dhe qeverisë së Kosovës edhe mund të kuptohet për faktin se tërë kohën ka qenë në shërbim të krimit në Kosovë, që nga koha e Sllobodan Millosheviqit e deri në kohën e Aleksandar Vuçiqit , i konvertuar nga kriminel lufte në kriminel të paqes. Po halli është te Joseph Borrell që , përveç se është përfaqësues i BE –së për politikë të jashtme, në të njëjtën kohë është edhe “ lehtësues “ në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe i cili shquhet për anim permanent në favor të Serbisë”,thuhet në njoftimin e KLMDNJ.
Tutje, nga KMDLNJ u tha se sa i përket deklaratës së kriminelit të luftës, Velko Odalloviq se “ Kurti nuk po lejon mbajtjen e referendumit në tokat e Serbisë (në Kosovë ) dhe se është lehtësisht e zgjidhshme.
“Le të vijë Odalloviqi në Kosovë dhe të organizojë mbajtjen e referendumit .Nuk ka nevojë të ankohet te Borrelli. Ftoj të gjitha subjektet politike opozitare dhe shoqërinë civile të përkrahin kundërshtimin e qeverisë së Kosovës për mbajtje të referendumit të Serbisë në Kosovë, si shprehje të mbrojtjes së sovranitetit të Kosovës dhe detyrim ndaj respektimit të Kushtetutës së Kosovës”,thuhet në njoftim./InLajmi/